Informacione të mbështetura nga ekspertët për shëndetin seksual Shmangia e shtatzënisë Spiralet

Spiralet

Spiralet janë mjete kontraceptive, të cilat mjekja ose mjeku i vendos në mitër. Ato ndikojnë në mënyrë lokale në mitër. Ato mund t’u rekomandohen të gjitha femrave (me ose pa fëmijë), pavarësisht nga mosha. Spiralet mbrojnë disa vjet nga shtatzënia.

Vendosja dhe heqja e spirales

Spiralja vendoset në mitër pas dezinfektimit të këllëfit (vagines), gjatë një konsultimi gjinekologjik. Nëse spiralja nuk nevojitet më ose duhet të ndërrohet, mjekja mund ta heqë lehtë atë falë fijes së najlonit. Sapo të jetë hequr spiralja, gruaja mund të mbetet përsëri shtatzënë.

Spiralja prej bakri

Spiralja përbëhet prej një pjese të vogël plastike, e cila është e mbështjellë pjesërisht me një fije bakri dhe me dy fije najloni. Egziston edhe një model që fiksohet brenda në mitër.

  1. Pjesa e vogël prej plastike
  2. Fija e hollë prej bakri
  3. Fijet e najlonit
  4. Gypi i vezorëve
  5. Vezorja (ovar)
  6. Mitra (uterus)
  7. Këllëfi (vagina)

Mënyra e ndikimit

  • Bakri ndikon që spermiet të mos jenë më të afta për fekondim.
  • Spiralja e ndryshon mukozën e mitrës (endometrium) dhe e pengon implantimin e vezës.
  • Spiralja nuk ka asnjë ndikim ndaj ciklit hormonal të femrës.

Kjo spirale ngandonjëherë ndikon që menstruacioni (periudhë) të jetë më i fortë dhe me dhimbje më intensive.

Spiralja hormonale

Kjo spirale është prej plastike të butë dhe është e mbështjellë nga një cilindër i vogël. Aty ndodhet  hormoni, i cili lëshohet rregullisht në mitër.

  1. Cilindri, i cili përmban gestagjen (hormon femëror)
  2. Gypi i vezorëve
  3. Vezorja (ovar)
  4. Mitra (uterus)
  5. Këllëfi (vagina)

Mënyra e ndikimit

  • Mukoza e qafës së mitrës (mukoza cervikale) trashet. Me këtë pengohet depërtimi i spermieve në mitër.
  • Mukoza e mitrës është më e hollë, kështu që një vezë eventualisht e fekonduar nuk mund të implantohet. 

Menstruacioni mund të bëhet më i dobët, me më pak dhimbje ose mund të ketë intervale më të gjata. Ai mund edhe të mungojë plotësisht.

Kërkoni shpejt ndihmë mjekësore…

  • në rast të dhimbjeve të pashpjegueshme në fund të barkut.
  • në rast të spirales prej bakri: Nëse mungon menstruacioni (periudha).
  • në rast të simptomave si djegie, kruarje ose rrjedhje e pazakonshme ose me erë të pakëndshme.

Mirë të dihet

  • Mbrojtjen më të mirë nga infeksioni me HIV ose infeksione të tjera seksualisht të transmetueshme ofron ‘safer sex’, kjo do të thotë:
    1. Gjatë marrëdhënieve me penetrim vaginal ose anal të përdoren gjithmonë kondomë për mashkullin ose femrën.
    2. Rekomandime të tjera, përshtatur situatës personale, mund të gjeni në ‘Safer-Sex-Check’ të faqes së internetit lovelife.ch.

2018, SANTÉ SEXUELLE SUISSE, Fondation suisse pour la santé sexuelle et reproductive; ALECSS Association suisse latine des spécialistes en santé sexuelle, Éducation – Formation – Conseil; faseg, Fachverband sexuelle Gesundheit in Beratung und Bildung

A keni pyetje

Në zyrën e specializuar për shëndetin seksual në rajonin tuaj persona të specializuar u përgjigjen pyetjeve tuaja me fshehtësi. Këta ju mbështetin që të gjeni një zgjidhje konkrete për situatën tuaj.

Më tepër informacione